Misioni i “NYJA”

Të dokumentojë, analizojë dhe promovojë trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të trevës së Kërçovës, duke krijuar një urë akademike midis së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes.

RRETH REVISTËS

Revista Shkencore Ndërdisiplinore “NYJA” është botim akademik që del në kuadër të Qendra për Demokraci dhe Vlera Evropiane (CDEV).

Revista Shkencore Ndërdisiplinore “NYJA” merret me ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore, kulturore dhe materiale të trevës së Kërçovë, duke e trajtuar atë në një perspektivë historike, shoqërore dhe zhvillimore.

Themelimi i saj përfaqëson realizimin e një ideje për krijimin e një platforme të mirëfilltë shkencore, me karakter kërkimor dhe ndërdisiplinor, e cila fillimisht fokusohet në studimin e Kërçovës dhe rajonit përreth, por me synim zgjerimin drejt bashkëpunimit akademik rajonal dhe ndërkombëtar.

Revista ngërthen në vete tema dhe punime shkencore nga fusha të ndryshme të shkencave shoqërore dhe natyrore, duke ofruar një hapësirë të strukturuar për prezantimin, analizën dhe diskutimin e rezultateve kërkimore. Përmes këtij botimi, studiuesit, profesorët universitarë, doktorantët dhe hulumtuesit e pavarur do të kenë mundësinë të paraqesin punimet dhe arritjet e tyre shkencore në përputhje me standardet bashkëkohore të publikimit akademik dhe me parimet e rishikimit shkencor (peer-review).

“NYJA” synon të kontribuojë në dokumentimin sistematik të trashëgimisë, në forcimin e identitetit kulturor dhe në nxitjen e dialogut intelektual ndërdisiplinor, duke ndërtuar një urë lidhëse ndërmjet së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes.

Kryeredaktor,

BLERIM RAMADANI